SHQIPTARËT DHE HEBRENJTË
| SHQIPTARËT DHE HEBRENJTË - NJË ARRITJE HISTORIKE NË IZRAEL
Nga: Shirley Cloyes DioGuardi, Këshilltare për Çështjet e Ballkanit e LQSHA Më 1 nëntor, Yad Vashem-i, Autoriteti Përkujtimor i Martirëve dhe Heronjve të Holokaustit në Jerusalem, nderoi heroizmin shqiptar të treguar me angazhimin për shpëtimin e të gjithë hebrenjve të cilët ose ishin duke jetuar në Shqipëri, ose kërkuan atje strehë gjatë Luftës së Dytë Botërore, me hapjen se ekspozitës “Besa: Një kod i nderit – Shqiptarët të cilët i shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit”. |
|
ALBANIANS AND JEWS / Shqiptarët dhe hebrenjtë: AKTIVITETI I LIDHJES QYTETARE DHE FONDACIONIT SHQIPTARO – AMERIKAN Nga Shirley Cloyes DioGuardi Maj 1990 Kongresisti Tom Lantosh dhe ish-kongresisti Joe DioGuardi ishin zyrtarët e parë amerikanë që hynë në Shqipëri pas pesëdhjetë vjetësh. Në përpjekje që t’i hynte në qejf Tom Lantoshit, edhe vetë një ish-i mbijetuar i Holokaustit, diktatori i kohës, Ramiz Alia prezantoi një arkiv të paparë deri atëherë me letra, fotografi, artikuj të prerë gazetash e shënime të tjera të veprave të papublikuara heroike të shqiptarëve që kishin shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me t’u kthyer në SHBA, DioGuardi i dërgon këto materiale në Izrael, ku ato verifikohen nga “Yad Vashem-i” autoritetit qendror i përkujtimit të martirëve dhe heronjve të Holokaustit, me seli në Jerusalem. Josef Jakoel, udhëheqës i komunitetit hebraik në Shqipëri dhe bija e tij, Felicita, takohen me DioGuardin në Tiranë dhe e diskutojnë me të planin e tyre për largimin e hebrenjve shqiptarë në Izrael. Jo shumë kohë më pas, Felicita merr një vizë hyrëse për udhëtim në Greqi dhe pastaj, me ndihmën e ambasadorit izraelit në Greqi dhe në kundërshtim me ligjet shqiptare të kohës, udhëton në Jerusalem, ku Agjencisë Hebraike të Izraelit i prezanton listën sekrete të hebrenjve me banim në Shqipëri. Agjencia, nga ana saj, u kërkon qeverive të Izraelit dhe të Italisë si dhe Komitetit të përbashkët Distributiv amerikano-hebraik që të përgatiten për eksodin nga Shqipëria. Janar – Maj 1991 Josef dhe Felicita Jakoel udhëheqin largimin e 300 hebrenjve shqiptarë nga Shqipëria për ta filluar jetën e re në Izrael. 1992 Vdes Josef Jakoel, që ishte në gjendje të rëndë shëndetësore edhe para se të arrinte në Izrael. Krijohet shoqata e Miqësisë Shqipëri – Izrael dhe presidenti i saj i parë bëhet Refik Veseli, i cili qe shpëtimtari i parë shqiptar, të cilit Yad Vashemi i dha titullin “I ndershmi jo çifut”. 1993 Si mysafirë të filantropit amerikano – hebraik, Harvey Sarner, në Izrael ftohen të gjithë shqiptarët e nderuar me këtë titull. Ata nderohen nga shteti i Izraelit për heroizmin e tyre. Shkurt 1995 Lidhja Qytetare dhe Fondacioni Shqiptaro – Amerikan bën realitet bashkimin e Shqipërisë në radhët e seksionit “Të ndershmit midis Kombeve”, seksion ky i Muzeut Memorial të Holokaustit në ShBA. Tre kongresistë hebraikë, Ben Gilman, Tom Lantos dhe Jerrold Nadler, bashkudhëheqin e bashkorganizojnë ceremoninë mirëseardhëse, përkujtimore dhe instaluese të sponsorizuar nga Lidhja Qytetare Shqiptaro – Amerikane. 1997 Mbështetur në informacionet e vërtetuara nga Yad Vashemi në vitin 1990 dhe nga tekstet e fotografitë e bollshme e gjithëpërfshirëse nga Josef e nga Felicita Jakoel, Harvey Sarneri boton librin “Rescue in Albania – Shpëtimi në Shqipëri” për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare për rolin unik të popullit shqiptar në shpëtimin e hebrenjve nga shfarosja e Holokaustit. 1998 Fondacioni Shqiptaro – Amerikan fillon shpërndarjen e 10 mijë kopjeve të librit “Rescue in Albania – Shpëtimi në Shqipëri”, me qëllim që kështu të bëhej e njohur kuraja dhe toleranca e popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe me qëllim që kështu populli izraelit të mësonte më shumë për gjendjen e rëndë dhe vuajtjet e popullit shqiptar të Kosovës nën sundimin brutal të diktatorit serb, Slobodan Milosheviq. (Me kërkesën e Harvey Sarner-it, parathënien e librit e shkruan kongresistët Tom Lantos dhe Ben Gilman dhe ish-kongresisti DioGuardi.) 2003 Pasi e lexon librin “Rescue in Albania – Shpëtimi në Shqipëri” dhe pasi i mëson të dhënat e paraqitura në parathënien e Joes, si dhe pasi gjen numrin e Lidhjes Qytetare Shqiptaro – Amerikane, Norman Gershman, banues në Basalt të Kolorados, kontakton Joe DioGuardin (të cilin ai e kishte njohur 25 vjet më parë kur ishte biznesmen në Nju-Jork). 2004 Fondacioni Shqiptaro Amerikan mbledh fonde për të ndihmuar fotografin amerikano-hebraik të arteve të bukura, Norman Gershman, që ai t’i fotografojë familjet shqiptare dhe pasardhësit e tyre, nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët kishin shpëtuar hebrenjtë gjatë Holokaustit. Ai udhëton në Shqipëri, ku për kërkimin e tij për shpëtimtarët gjen ndihmën e drejtorit të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri – Izrael, Dr. Petrit Zorba dhe zëvendësdrejtorit të tij, profesor Apostol Kotani, autor i librit “Shqipëria dhe hebrenjtë - The Albanians and the Jews 1995” dhe të librit Hebrenjtë në Shqipëri ndër shekuj - The Hebrews in Albania throughout the Centuries (1999)” dhe prej tyre arrin të mësojë për historikun e shoqatës dhe të të operacioneve të shpëtimit. Maj 2005 Në gjashtëdhjetëvjetorin e kampeve nazifashiste të vdekjes, Fondacioni Shqiptaro – Amerikan dhe Lidhja Qytetare organizojnë aktivitetin “Nderim Tolerancës, Rezistencës Kongresisti Tom Lantos dhe senatori Çarls Shumer (Charles Schumer) janë folësit kyç të aktivitetit, ndërsa personalitetet që e nderonin atë në mënyrë të veçantë ishin Harvey Sarner, presidenti lokal 32BJ Mike Fishman dhe Norman Gershman. Para ngjarjes që kishte tubuar rreth tetëqind personalitete të ndryshme flasin edhe presidenti i atëhershëm i komitetit të Kongresit për Marrëdhënie me jashtë, Henri Hajd (Henry Hyde) dhe ish-kryetari Ben Gilman së bashku me rabinin Artur Shnaider (Arthur Schneier) dhe me rabinin Jozef Potasnik (Joseph Potasnik), udhëheqës i bordit të rabinëve për Nju-Jorkun. Gershmani shfaq për herë të parë një film prej 22 minutash nga puna e tij me shpëtimtarët në Shqipëri. Lidhja Qytetare sjell në Nju – Jork, nga Tirana Petrit Zorbën dhe Petrit Kotanin dhe peshkopin e ndjerë katolik shqiptar, Mark Sopin, at Shan Zefin dhe at Lush Gjergjin nga Kosova për të marrë pjesë si mysafirë të nderuar të këtij aktiviteti. Me ndihmën e bashkëdrejtorëve të Shoqatës së Miqësisë Kosovë - Izrael, Mustafa Rezniqi dhe Xhangyle Ilijazi, Gershamni udhëton në Kosovë dhe hulumton punën që kishin bërë shqiptarët atje për shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit. Shtator 2005 “Local 32BJ Service Employees International Union”, nën udhëheqjen e presidentit të saj, Mike Fishman, sponsorizon posterin përkujtimor urat e fuqishme ndërlidhëse midis popullit hebraik dhe popullit shqiptar dhe ua shpërndan atë në mijëra kopje shqiptarëve në vende të ndryshme. Tetor 2005 Në konferencën vjetore të Asociacionit të Historisë Orale në Rhode Island, Këshilltarja e LQSHQ-së për çështje të Ballkanit, Shirley Cloyes DioGuardi, bën një prezantim të rolit që kishin luajtur shqiptarët për shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit, duke përfshirë edhe shfaqjen e filmit të shkurtër të Norman Gershmanit. Lidhja Qytetare fillon punën me Kongresin e Hebrenjve Amerikanë për përgatitjen e njohjes ndërkombëtare të rolit unik të shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore për shpëtimin e hebrenjve. Mestitull/Janar/Shkurt 2006 Shirley Cloyes DioGuardi boton në të përmuajshmen e Kongresit - Congress Monthly artikullin “Jewish Survival in Albania & the Ethics of ‘Besa’ – Mbijetesa hebraike në Shqipëri dhe etika e “Besës’”, revistë kjo e Kongresit amerikano-hebraike. Shirley Cloyes DioGuardi mban një fjalim në “Rotary Club” të Menhetenit për ‘Besën’ si burim të tolerancës fetare të shqiptarëve dhe burim të reagimit të tyre ndaj Holokaustit. Harvey Sarner i jep Fondacionit Shqiptaro – Amerikan lejen për rishtypje të 20 mijë kopjeve të “Shpëtimit në Shqipëri - Rescue in Albania”, të cilën më pas Fondacioni Shqiptaro Amerikan e shpërndan nëpër Sinagoga. Qershor 2006 Senatorët amerikanë, Çarls Shumer (Charles Schumer) dhe Xhon Mek Kein (John McCain) paraqesin rezolutën e Kongresit - S.Res. 521, “që lavdëron dhe e përshëndet popullin e Shqipërisë në 61-vjetorin e çlirimit të hebrenjve nga kampet naziste të vdekjes, për mbrojtjen dhe shpëtimin e jetës së të gjithë hebrenjve që jetuan në Shqipëri apo kërkuan atje strehë gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Korrik 2006 Me kërkesë të qeverisë shqiptare, Joe dhe Shirley DioGuardi udhëtojnë nga Prishtina në Tiranë, për të diskutuar me kryeministrin Sali Berisha dhe me zëvendësministren e jashtme Edith Harxhi planet për shtimin e ndërgjegjësimit ndërkombëtar për heroizmin e shqiptarëve gjatë Holokaustit. Shtator 2006 Lidhja Qytetare Shqiptaro – Amerikane u jep senatorëve Shumer (Schumer) dhe MekKein (McCain) çmimin e saj vjetor të Paqes për angazhimin dhe punën e tyre në Kongres kushtuar njohjes dhe pranimit të shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë. Edith Harxhi dhe drejtori ekzekutiv i Kongresit Hebraiko – Amerikan, Nil Goldshtajn (Neil Goldstein) marrin pjesë në ceremoninë e Kapitolit amerikan. Lidhja Qytetare e sjell Harxhin në takim me anëtarët e Kongresit të ngarkuar me përgjegjësi për politikën e jashtme. Shkurt 2007 Pas një beteje të ashpër me sëmundjen e parkinsonit, Harvey Sarner vdes në moshën 73-vjeçare në Palm Springs, të Kalifornisë. Trupi i tij dërgohet për varrim në Jerusalem. 1 Nëntor 2007 Në “Yad Vashem” të Jerusalemit hapet ekspozita udhëtuese e Norman Gershmanit “Besa: Një Kod i Nderit”. Gjatë ceremonisë hapëse që u shoqërua edhe me një sërë aktivitetesh të tjera, njihet e përshëndetet roli unik i shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve gjatë tmerrit të veçantë të Luftës së Dytë Botërore – Holokaustit. Në këtë ngjarje historike marrin pjesë edhe Joe dhe Shirley DioGuardi, Xhangyle Ilijazi, Felicita Jakoel, Apostol Kotani, Mustafa Rezniqi dhe Petrit Zorba. Nga anglishtja: Musli Bazhdaraj. Përgatit për botim: Elida Buçpapaj |