PËRGJEGJËS JANË JO VETËM MALAZEZËT POR EDHE SHQIPTARËT
LIDHJA QYTETARE SHQIPTARO-AMERIKANE SHPREH KEQARDHJE PËR MIRATIMIN E PROJEKTLIGJIT PËR KRYEQYTETIN NGA PARLAMENTI MALAZIAS
PËRGJEGJËS JANË JO VETËM MALAZEZËT POR EDHE SHQIPTARËT
Nga: Shirley Cloyes DioGuardi, Këshilltare për çështje të Ballkanit e LQSHA
31 tetor 2005 - Që prej revokimit të statusit autonom të Tuzit në vitin 1957, ekonomia dhe infrastruktura e tij kanë pësuar degradim, mijëra hektarë toke të shqiptarëve në Malësi janë konfiskuar dhe u janë bartur në pronësi malazezëve sllavë dhe mbi gjysma e popullsisë shqiptare ka emigruar, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropën Perëndimore.
Më 27 tetor, me gjithë kundërshtimin e pjesës dërrmuese të shqiptarëve në Mal të Zi, Parlamenti malazez miratoi Projektligjin e Kryeqytetit me shumicë votash 38 me 22.
Projektligji votuar në parlament pret tani nënshkrimin e presidentit Filip Vujanoviç. Me që prej vitit 2003, ka punuar për t’i rikthyer Tuzit statusin e “komunës”, Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane shpreh keqardhjen e saj për kalimin e këtij projektligji, qëllim i të cilit është që rajonit të Tuzit me shumicë shqiptare t’ia pamundësojë përgjithmonë rifitimin e statusit vetëqeverisës që kishte dikur si komunë.
Verën që lamë pas, Lidhja Qytetare i sugjeroi kongresistit Tom Lantos, përfaqësues i lartë i demokratëve në Komitetin e Kongresit amerikan për Marrëdhënie Ndërkombëtare, që Projektligji për Kryeqytetin malazias, i përgatitur dhe propozuar nga partia në pushtet e premierit Milo Gjukanoviç dhe i mbështetur nga Ferhat Dinosha, lider i Unionit Demokratik të Shqiptarëve në Mal të Zi, ishte projektligj hileqar që binte ndesh me ligjet ndërkombëtare.
Gjukanoviçi dhe Dinosha e kanë quajtur këtë projektligj si nismë demokratike në përputhje me të gjithë procesin e “decentralizimit” në Evropën Juglindore. Por e vërteta është se, projektligji i miratuar për kryeqytetin nuk do t’ia rikthejë Tuzit statusin e komunës, status ky të cilin e gëzojnë 21 njësi të tjera komunale në Mal të Zi.
Në vend të kësaj, ky ligj do ta copëtojë Tuzin për ta bërë atë “komunë urbane” në kuadër dhe nën kontrollin e plotë të Podgoricës dhe do ta bëjë të varur vetëm nga mëshira e fondeve federale.
Në muajin gusht, kongresisti Tom Lantos i dërgoi premierit Gjukanoviç një letër, nëpërmjet të cilës e kundërshtonte Projektligjin për Kryeqytetin. Pas leximit dhe analizës që iu bë këtij legjislacioni, i cili iu prezantua atij nga qeveria malazeze si mjet “që ofron përmirësim të ndjeshëm në rajonin e Malësi-Tuz”, Lantosi erdhi në përfundim se projektligji “nuk i akordonte rajonit Tuz-Malësi të drejtat, privilegjet dhe pushtetin administrativ që gëzojnë njësitë tjera komunale në Mal të Zi”.
Ai i bëri thirrje qeverisë malaziase “të hiqte dorë nga projektligji për kryeqytetin dhe të shkonte në drejtim të dhënies së një vetëqeverisje më të madhe reale rajonit të Malësisë, duke i rikthyer Tuzit statusin e Komunës”.
Kjo ishte letra e tretë që kongresisti Lantos i kishte dërguar premierit Gjukanoviç për gjendjen dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi, pas misionit të tij faktmbledhës në tokat shqiptare të Malit të Zi në gusht të vitit 2003 dhe seancës së menjëhershme dëgjimore me temën: “E ardhmja e shqiptarëve në Mal të Zi”, që u mbajt në Kongresin Amerikan në tetor të vitit 2003.
Më 24 gusht të vitit 2005, një delegacion i Lidhjes Qytetare, i kryesuar nga kongresisti Dana Rohrabacher, Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes e në të cilin merrnin pjesë poashtu edhe Marash Nuculaj, Kol Dedvukaj, Zef Dedivanaj, Ahmet Zeka, Kol Zagreda, Gjergj Dedvukaj, Haki Dërvishi dhe Adem Dukaj, shkoi në Tuz për një takim, në të cilin Mehmet Bardhi, anëtar i parlamentit dhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve në Mal të Zi, avokati Muhamet Gjokaj, arsimtarët Anton Lajçaj dhe Nikollë Berishaj dhe liderë të tjerë shqiptarë prezantuan pikëpamjet dhe kundërshtimin e tyre ndaj Projektligjit të Kryeqytetit dhe provuan se ekzistonin arsye të plota për rikthimin e Tuzit në statusin komunë.
Në këtë takim, kongresisti Rohrabacher, shprehu besimin e tij se në qoftë se Mali i Zi dëshiron të pranohet në Bashkimin Evropian, “popullsia lokale duhet të ketë kontroll dhe pushtet të plotë në çështjet lokale” dhe shtoi se “qeveria e Malit të Zi duhet t’ua njohë shqiptarëve të Tuzit të drejtat e njëjta që i gëzojnë nga statusi i komunës komunitetet në të cilat sllavët përbëjnë popullsinë shumicë“.
Gjatë këtij takimi, Shirley Cloyes, ftoi komunitetin e Tuzit të ndihmojë për ngritjen e çështjes shqiptare të shqiptarëve në Mal të Zi në median dhe parlamentet e ndryshme të botës dhe tha se për hir të përmbushjes së këtij objektivi duhet të hedhen pas shpine të gjitha përçarjet brendashqiptare në Ballkan dhe në Diasporë.
Ndërkohë, presidenti i Lidhjes Qytetare, Joe DioGuardi, theksoi nevojën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve në rajonin e Tuzit me qëllim që të bëhej reagimi më i madh publik kundër Projektligjit të Kryeqytetit. Komuniteti i Tuzit reagoi në muajin tetor, para se të kalonte projektligji, kur rreth 800 persona demonstruan në Tuz kundër ligjit për Tuzin. Aktiviteti u organizua falë përpjekjeve të “Nismës Qytetare”.
Fatkeqësisht, përçarjet në radhët e komunitetit shqiptar u dëshmuan fatale për moskthimin e statusit komunë për Tuzin. Partnerët politikë shqiptarë të regjimit të Gjukanoviqit në Podgoricë, të udhëhequr nga Ferhat Dinosha, i cili i përkrahu këtë projektligj në mënyrë të hapur dhe madje dha votën vendimtare që mundësoi kalimin e tij, dhe kolaboracionistët në diasporën shqiptare të Amerikë, të cilët publikisht e kundërshtonin ligjin, por prapa skenës, me dashje ose pa dashje, punonin për miratimin e tij, bënë e dhanë për miratimin e këtij ligji po aq sa Gjukanoviçi.
Veç kësaj, kongresisti Eliot Engel, që u takua me premierin Gjukanoviç dhe me ministrin e jashtëm Miodrag Vlahoviç në Mal të Zi në muajin korrik dhe më vonë me Vlahoviçin në Uashington, ashtu si dhe senatori Bob Dole (që bën punën e lobistit me pagesë për qeverinë e Malit të Zi) nuk kanë ndikuar dot tek Gjukanoviçi dhe kolegët e tij, që vazhdojnë të punojnë kundër interesave shqiptare në Mal të Zi. Që të dy këta persona mbështetën financiarisht nga shqiptaro-amerikanët që kanë interesa biznesi në Ballkan dhe disa prej tyre janë pjesëtarë të bordit të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.
Marash Nuculaj, kryesues i Lidhjes Qytetare në Miçigan, bëri sot këtë deklaratë: “Pas qëndrimin njëjavor që bëra në Malësi gjatë këtij muaji, me qëllim që ta vëzhgoja nga afër gjendjen reale në terren, mund të them se miratimi i Projektligjit për Kryeqytetin është i papranueshëm, aq më shumë që ai u bë falë ndihmës së një partie politike shqiptare. Ka shumë kohë që e dinim se shqiptarët e Malit të Zi të inkuadruar nëpër partitë sllave ishin tradhtarë të popullit shqiptar, por është e pabesueshme se si Ferhat Dinosha pati forcën ta shiste Malësinë, gjë që e bëri kur e hodhi votën vendimtare që mundësoi kalimin e projektligjit.
Projektligji nuk do të kishte kaluar në parlament pa votën e tij. Në anën tjetër, Mehmet Bardhi duhet përgëzuar. Nëpërmjet qëndrimit të tij të palëkundur kundër projektligjit, ai ka dëshmuar se ende ka liderë shqiptarë që janë të gatshëm të luftojnë për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi”.
Tani u mbetet shqiptarëve të dokumentojnë me prova mënyrën nëpërmjet të cilës projektligji për Kryeqytetin shkel mbrojtjen dhe të drejtat ligjore për vetëqeverimin lokal dhe “minoritetet kombëtare” sipas ligjeve evropiane dhe për të apeluar pranë institucioneve përkatëse të BE-së në Bruksel dhe në Strasburg për rishqyrtim të plotë të këtij rasti. (Përktheu: Musli Bazhdaraj Për.për botim: Elida Buçpapaj)