Mali I Zi: Një Shtet Aparteidi Në Zemër Të Europës

Mbi/titulli: 

 

Delegacioni i Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane së bashku me 

Kongresmenin Tom Lantosh ndërmori një Mision të Gjurmimit të Fakteve 

 

Titulli: MALI I ZI: NJË SHTET APARTEIDI NË ZEMËR TË EUROPËS 

 

 

Nën/titull: Tom Lantosh: “Shpreh indinjatën sesi në Shekullin XXI ndaj 

njerëzve të qytetëruar që jetojnë në Evropë mund të ushtrohet një 

diskriminim kundër tyre kaq i thellë vetëm pse ata duan të mbajnë 

gjallë trashëgiminë e tyre gjuhësore, kulturore dhe etnike.”Anet 

Lantosh: “Mali i Zi është njëqind vjet mbrapa pjesës tjetër të Evropës.” 

 

Nga Shirley Cloyes DioGuardi Këshilltare e Çështjeve Ballkanike e LQSHA 

 

Prej 31 korrikut deri më 4 gusht, Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane, 

me mbështetjen e Shoqatës Patriotike të Krajës dhe Shoqatën Ana e Malit, 

ndërmori një mision të gjurmimit të fakteve në popullsitë shqiptare në 

Mal të Zi me Kongresmenin Tom Lantosh(Tom Lantos) dhe të shoqen Anet 

Lantosh (Annette Lantos). 

Delegacion ishte në zbatim të një plani të Lidhjes Qytetare për të 

filluar ndërkombëtarizimin e gjendjes së shqiptarëve në Mal të Zi që ka 

marrë pikënisje më shumë se një vit më parë në Uashington. 

Nuk u desh shumë kohë për të shpalosur të vërtetën. Sepse shumë shpejt 

ne zbuluam se përpjekjet e shumicës sllave malazeze të sponsorizuara nga 

shteti për ta përzënë nga vendi ose për ta asimiluar popullsinë 

shqiptare në Mal të Zi, nuk është një temë e historisë, por një realitet 

bashkëkohor dhe shokues që kërcënon vetë ekzistencën e shqiptarëve në 

Mal të Zi. Kjo përpjekje është acaruar nga një racizëm vrastar 

antishqiptar që kërcënon gjithashtu të ardhmen politike dhe ekonomike të 

Malit të Zi si pjesë e Evropës. 

Pas dëgjimit të dëshmive nga ekspertë dhe veprimtarë shqiptarë në Ulqin, 

Ana e Malit, Krajë dhe Tuz, Annette Lantosh, e cila punon me Grupin 

Kongresional të të Drejtave të Njeriut (Congressional Human Rights 

Caucus), bëri vërejten se në trajtimin e tij racist të shqiptarëve, 

“Mali i Zi është njëqind vjet mbrapa pjesës tjetër të Evropës.” 

Bazuar në ato që pa dhe dëgjoi, Kongresmeni Lantosh e përshkroi ndjenjën 

e tij si “një indinjatë sesi në Shekullin XXI ndaj njerëzve të 

qytetëruar që jetojnë në Evropë mund të ushtrohet një diskriminim kundër 

tyre kaq i thellë vetëm pse ata duan të mbajnë gjallë trashëgiminë e 

tyre gjuhësore, kulturore dhe etnike.” Kongresmeni Lantosh deklaroi se, 

bashkë me miqtë e tij Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes, ai është “i 

përkushtuar emocionalisht dhe intelektualisht” për ta ndihmuar popullin 

shqiptar në Malin e Zi. Ai u zotua që “t”i trajtojë problemet e tyre në 

nivelet më të larta në Uashington.” 

 

Mes/titull: Kongresmeni Tom Lantosh i gatshëm për të ndërkombëtarizuar 

Çështjen e Shqiptarëve në Mal të Zi 

 

Dy qëllimet kryesore të udhëtimit tonë ishin të shikojmë, para së 

gjithash, kushtet në të cilat shqiptarët e Malit të Zi jetojnë sot dhe 

për ta sjellë këtë informacion në Kongresin e SHBA, kështu që Lidhja 

Shqiptare, duke punuar me Kongresmenin Lantosh, mund të ndërmarrë një 

zgjidhje që do t”iu japë shqiptarëve barazinë ekonomike, politike dhe 

ekonomike me sllavët malazezë. Pikërisht siç luajti një rol të 

rëndësishëm për të ndërkombëtarizuar çështjen shqiptare në Kosovë, Tom 

Lantosh është tashmë i përgatitur për të bërë të njëjtën gjë për 

shqiptarët e Malit të Zi. 

Anëtarët e delegacionit përfshinin Presidentin e Lidhjes Qytetare 

Shqiptaro Amerikane, ish Kongresmenin Joe DioGuardi, Këshilltaren e 

Çështjeve Ballkanike Shirley Cloyes DioGuardi, dhe anëtarët e Bordit të 

Lidhjes Qytetare Luan Bukolla, Gjergj Dedvukaj, Adem Dukaj, Sadri 

Gjonbalaj dhe Marash Nuculaj; Xhevat Kraja (nënpresident) dhe Adem Cukaj 

i Shoqatës Patriotike të Krajës; dhe Xheladin Zeneli (nënpresident) i 

Shoqatës Ana e Malit. 

Faton Bislimi, student koordinator i Lidhjes Qytetare nga Kosova, ishte 

përkthyes zyrtari i delegacionit. Ndërkohë që Kongresmeni Lantosh u nis 

për në Budapest për të kremtuar 75-vjetorin e tij të ditëlindjes në 

vendin e origjinës së tij, disa nga anëtarët e delegacionit tonë 

udhëtuan për në Prishtinë për të mbajtur një konferencë shtypi më 5 

gusht për hulumtimet tona në Malin e Zi. Fill pas konferencës, ne patëm 

fatin të takohemi me Azem Hajdinin, një nga pak të mbijetuarit e 

masakrës së 4300 luftëtarëve antifashistë në vitin 1945 në Tivar, Mal i 

Zi, nga forcat ushtarake serbe dhe malazeze. Azem Hajdini, i cili ka 

publikuar një raport të dokumentuar të masakrës, shpjegoi sesi ai, nën 

kërcënimin për vdekje, për shumë e shumë vite nuk ishte lejuar të fliste 

për këtë tragjedi. 

Ai shprehu shqetësimin e tij se shqiptarët e Malit të Zi dhe kudo në 

Ballkan do të vazhdojnë të përballen me rrezikun e përzënies dhe të 

shfarosjes nëse ne nuk do të kërkojmë ndryshimin e situatës. 

 

Mes/titull: Emigrimi i detyruar forcërisht, konfiskimi i tokës dhe 

asimilimi i dhunshëm 

 

Në vijim të historisë mizore të genocidit kundër shqiptarëve të Malit të 

Zi, e cila filloi së pari me aneksimin e tokës shqiptare nga Mali i Zi 

më 1878, atje ka ndodhur një praktikë e vazhdueshme e emigracionit të 

detyruar forcërisht, konfiskimit të tokës dhe asimilimit të dhunshëm. 

Delegacioni i ndeshi këto realitete nga Ulqini në Tuz, gjithashtu në 

Plavë-Guci, ku pjesa e caktuar e grupit përfundoi misionin e hulumtimit 

të fakteve. 

Historiani Riza Rexha shpjegoi se qyshkur të ashtuquajturat Fuqi të 

Mëdha në Kongresin famëkeq të Berlinit i vunë shqiptarët nën kontrollin 

malazez, përpjekjet për ta ndaluar fjalën shqipe, mënyrën e jetesës dhe 

kulturën shqiptare dhe për t”i sllavizuar shqiptarët, duke filluar me 

vendosjen e prapashtesës sllave “-iç” në mbiemrat e shqiptarëve, ka 

vazhduar me intensitet. Sipas Riza Rexhës “shqiptarët përballen me të 

njëjtat çështje me të cilat janë përballur gjatë 123 viteve me radhë.” 

Si rezultat, sot gjysma e popullsisë shqiptare të Malit të Zi jeton në 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropën Perëndimore. Riza Rexha 

gjithashtu përshkroi një strategji paralele që synon vendosjen e 

malazezëve në zonat me popullsi shqiptare për të ndryshuar përbërjen e 

tyre etnike dhe strukturat politike. 

Disa nga shembujt më flagrantë të konfiskimit të tokave të shqiptarëve 

dhe të vendosjes së malazezëve në zonat e populluara me shqiptarë për të 

ndryshuar demografinë kanë ndodhur dhe janë duke ndodhur në Tuz. Ne 

mësuam nga Anton Lajcaj, një profesor në Tuz, se brenda vitit të 

ardhshëm, 1200 sllavë do të vendosen në fermat dhe do t”iu jepen 

apartmente në tokat e konfiskuara midis Tuzit dhe Podgoricës. Në të 

njëjtën kohë, qeveria ka konfiskuar tokën në pronësi të sllavëve në 

rrethinat e Podgoricës me qëllim që të ndërtojë atje një burg. Qeveria 

iu ka premtuar pronarëve të shqetësuar të tokave se ata do të 

kompensohen me 60000 metra katrore tokë që do t”iu merret shqiptarëve. 

Qeveria gjithashtu, gjoja për të ndërtuar një park kombëtar, po ua merr 

shqiptarëve kilometra të tëra katrore tokash përgjatë Liqenit të 

Shkodrës, të cilat shqiptarët i kanë me tapi brez pas brezi. Kur 

Kongresmeni Lantosh pyeti se çfarë lloj kompensimi do t”iu bëhet 

shqiptarëve të cilëve ua ka marrë tokat e tyre qeveria malazeze, Anton 

Lajcaj u përgjigj se ata nuk do të marrin asgjë prej gjëje dhe se çdo 

protest do të shpërblehet me burg dhe me persekutim. Tuzi ka qenë 

gjithashtu i ndarë fizikisht nga ndërtimi i një baze ushtarake dhe i një 

depoje të mbeturinave e cila është burim i sëmundjeve të fëmijëve 

shqiptarë. 

Anton Lajcaj deklaroi se “politika malazeze dhunon të gjitha konventat 

evropiane të të drejtave të njeriut dhe se, po të vazhdojë kështu, e 

gjithë popullsia shqiptare do të largohet prej këndej ose do të 

asimilohet.” Kur Kongresmeni Lantosh, zonja Lantosh dhe anëtarët e 

delegacionit tonë ishim tronditur thellë nga ato që kishim parë dhe nga 

guximi i shqiptarëve të cilët ne i takuan në Malin e Zi, ne ishim 

plotësisht të vetëdijshëm se politika shtetërore tashmë ia ka arritur të 

asimilojë shumë shqiptarë, të cilët nuk flasin më gjuhën e tyre amtare. 

Disa shqiptarë janë bashkuar tashmë me partitë politike malazeze dhe të 

tjerë kanë bashkëpunuar në mënyrë aktive me forcat qeveritare të 

sigurisë dhe me policinë speciale në kontrollin dhe në shtypjen e 

popullsisë shqiptare. 

 

Mes/titull: Arsimi si një instrument i asimilimit dhe emigrimit të 

detyruar 

 

Delegacioni kërkoi të takojë presidentin (Petrit Gjokaj) dhe 

nënpresidentin (Nik Gjeloshaj) të Shoqatës Kombëtare të Studentëve 

Shqiptarë, si dhe liderë të degëve të kësaj shoqate në Ulqin. Ngaqë atje 

nuk ka arsim të lartë në gjuhën shqipe, të gjithë i ndjekin studimet 

universitare jashtë Malit të Zi. Shoqata, e cila ka 700 anëtarë, është 

themeluar kohët e fundit për të kundërshtuar asimilimin dhe për të 

ndihmuar studentët që të përballen me një sistem arsimor që është 

ndërtuar në një mënyrë të tillë që për studentët shqiptarë të mbyllen të 

gjitha rrugët. Petrit Gjokaj dhe Nik Gjeloshaj folën për trysninë e 

pareshtur mbi studentët shqiptarë për të harruar identitetin e tyre dhe 

historinë e tyre dhe të heqin dorë nga aktiviteti politik. Në përgjigje 

të kësaj trysnie, Shoqata është duke kërkuar që arsimi në gjuhën shqipe 

të bëhet në shkollën e lartë dhe me një program mësimor që ua mëson 

historinë dhe kulturën shqiptare. Aktualisht, mësimet në gjuhën shqipe 

ekzistojnë vetëm në shkollën fillore, por as kjo madje nuk ka përhapje 

të plotë. 

Gjithnjë e më shumë serbishtja po shndërrohet në gjuhë të vetme të 

shkollës në të gjitha nivelet (studentët janë të detyruar t”i përkthejnë 

tekstet serbe në shqip), dhe programet mësimore janë plotësisht në 

shërbim të kulturës dhe të historisë serbomalazeze. Petrit Gjokaj tha 

gjithashtu se Shoqata e Studentëve ishte duke punuar me të gjithë trupën 

studentore në Mal të Zi për të çuar përpara çështjen politike të 

shqiptarëve. 

Ngaqë shqiptarët përbëjnë vetëm shtatë për qind të popullsisë së Malit 

të Zi, studentët theksuan se, duke u nisur nga standartet evropiane, ata 

nuk mund të shpresojnë që Mali i Zi të ndërtojë një Universitet në 

gjuhën shqipe. 

Megjithatë, ata thanë se studentët shqiptarë të Malit të Zi duhet të 

regjistrohen sa më shumë në universitetet e Kosovës, Shqipërisë dhe 

Maqedonisë pa iu krijuar asnjë pengesë prej atyre universiteteve. Petrit 

Gjokaj dhe Nik Gjeloshaj thanë se një kolegj në gjuhën shqipe për të 

përgatitur arsimtarë për shkollën fillore dhe tetëvjeçare do të duhej të 

funksiononte në Malin e Zi. Ata treguan sesi propozimi për kolegjin për 

arsimtarë është duke u hedhur poshtë në mënyrë sistematike nga 

politikanët malazezë dhe shqiptarë. Qeveria ka ofruar të ndërtojë një 

kolegj për arsimtarë në Nikshiq, i cili është në thellësi të një 

territori plot me sllavë dhe prandaj është i papranueshëm nga shumica e 

shqiptarëve. 

Ndërkaq, partitë politike shqiptare, në vend që të jenë të bashkuar për 

të kundërshtuar ndërtimin e kolegjit në Nikshiq, janë duke u ndeshur mes 

tyre se ku të ndërtohet kolegji në tokën shqiptare. Rezultati është një 

bllokim i situatës çka kërcënon të ardhmen e arsimit shqiptar në Mal të 

Zi. Studentët të cilët kanë mundësi ekonomike për të studiuar në 

universitetet jashtë Malit të Zi shpesh e shikojnë se e kanë të pamundur 

të rikthehen në Malin e Zi, sepse shteti nuk i njeh diplomat e atyre 

universiteteve dhe, prandaj, ata nuk mund të gjejnë punë. Por shumë 

studentë nuk arrijnë të studiojnë në asnjë shkollë të mesme. 

Për shembull, ne mësuam nga historiani Ismail Doda, kur po qëndronim 

bashkë pranë shtatores së Skënderbeut, ndërtuar me financimin e Shoqatës 

Patriotike të Krajës, se studentët nga Kraja janë të detyruar të shkojnë 

në Ulqin ose të marrin autobusin për të bërë një rrugë të gjatë që të 

mund të vazhdojnë shkollën e mesme. 

Shumë prej tyre nuk kanë asnjë rrugëzgjidhje. Nail Draga, president i 

Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve në Ulqin dhe një drejtor 

shkolle që kohët e fundit është pushuar nga puna prej qeverisë së Malit 

të Zi, i tha delegacionit të Lidhjes Qytetare se “edhe pse Mali i Zi 

është një vend shumëkombësh , prandaj edhe shumëkulturor, kultura 

malazeze mbisundon.” 

Ai tha se “deri sot qeveria e Malit të Zi nuk ka financuar qoftë edhe 

një projekt të vetëm kulturor ose shkencor shqiptar.” 

 

Mes/titull: Prapambetja zhvillimore ekonomike dhe pappunësa si një 

instrument i emigracionit të detyruar me forcë 

 

Askund tjetër nuk është më i dukshëm fakti se racizmi antishqiptar sjell 

pasoja negative ndaj shqiptarëve dhe malazezëve se në fushën e 

ekonomisë. 

Ulqini, një qytet ilir me bukuri magjepsëse që është themeluar në Epokën 

e Bronxit, është qendra më e madhe turistike në Detin Adriatik. Qyteti 

është në më shumë se 80 për qind shqiptar dhe një numër shumë i madh i 

turistëve që vizitojnë Ulqinin janë shqiptarë. 

Edhe pse qeveria qendrore në Podgoricë i merr përfitimet më të shumta 

nga turizmi i Ulqinit, duke e lënë bashkinë pa fondet që do t”i 

duheshin që ajo të vepronte vetë, ajo, pra qeveria malazeze, refuzon 

zhvillimin e infrastrukturës së zhvillimit të Ulqinit sepse Ulqini është 

një zonë me shumicë shqiptare. Rezultati është që Podgorica lë gjithë 

Malin e Zi pa kapitalin më urgjentisht të nevojshëm që do të sigurohej 

nëpërmjet industrisë së turizmit të zhvilluar në shkallën e duhur. 

Delegacioni mësoi se gjashtëdhjetë për qind (60%) e Ulqinit përbëhet nga 

brezi i ri i shqiptarëve, sepse ata kanë gjetur punë në turizëm dhe në 

administratën bashkiake. Megjithatë në Anën e Malit, Krajë, Tuz dhe 

Plavë-Guci, brezi i vjetër mbizotëron, për shkak të mungesës së punës 

dhe të infrastrukturës. 

Në Krajë, historiani Ali Gjecbritaj informoi grupin tonë se në vitin 

1991, 4000 njerëz jetonin atje, por sot në Krajë banojnë vetëm 2000 

shqiptarë, sepse nuk ka punë, nuk ka ujë të pijshëm (pavarësisht 

afërsisë së qytetit me Liqenin e Shkodrës) dhe nuk kanë lidhje me 

Internetin. Muhamet Gjokaj, një jurist në Tuz, na shpjegoi se qyshkur 

Tuzit, qendrës më të madhe të shqiptarëve të rajonit të Malësisë, i 

është hequr autonomia e tij si bashki më 1957 dhe është përfshirë nën 

Podgoricën, ekonomia dhe infrastruktura janë përkeqësuar deri në atë 

pikë sa që gjysma e popullsisë shqiptare ka emigruar tjetërkund. Në 

njërin nga momentet më tronditëse të udhëtimit tonë përmes Malit të Zi, 

Gjokaj na shpalosi shkallën e mjerimit, përfshirë mungesën e ujit të 

pijshëm, mungesën e elektricitetit minimal, mungesën e lidhjeve 

telefonike në fshatrat shqiptare të rajonit. I tillë është rasti i 

Dinoshës, fshatit më të madh shqiptar të asaj zone, i cili ndodhet vetëm 

pesë kilometra larg kryeqytetit Podgorica dhe ku banojnë 1500 veta. Kur 

Kongresmeni Lantosh pyeti sa fshatra malazeze janë në kushte të 

ngjashme, përgjigja ishte kuptimplote “asnjë”. Në mënyrë alarmante, 

Gjokaj deklaroi se “kërkesa për ta bërë Tuzin komunë, si dhe çdo kërkesë 

për përmirësimine gjendjes së shqiptarëve, është e paragjykuar të 

konsiderohet si një vepër e “lëvizjes separatiste”. Ai deklaroi se 

qeveria e Malit të Zi është duke i kaluar tani në parlament ligjet për 

t”ua ndaluar shqiptarëve kontrollin e pushtetit vendor përgjithmonë. 

Delegacion ynë mësoi se Bashkimi Evropian nuk ka bërë asgjë për të 

ndalur këtë tragjedi të pashoqe. 

 

Mestitull/ Mungesa e shërbimit shëndetësor si një instrument i 

asimilimit dhe emigracionit të detyruar me forcë 

 

Siç është shpjeguar më lart, emrat shqiptarë janë ndryshuar në çastin e 

lindjes që të duken sllavë. Kjo bëhet sepse asnjë nga shtëpitë e lindjes 

në Malin e Zi nuk drejtohen dhe nuk kanë në përbërje mjekë ose mami 

shqiptare. Dr. Sime Dobreci e informoi delegacionin se nuk ka pasur 

investime financiare në sistemin e shërbimit shëndetësor në asnjërën 

prej zonave shqiptare të Malit të Zi gjatë njëze viteve të fundit. 

Shumica e shqiptarëve në Malin e Zi nuk mbulohen nga shërbimet 

shëndetësore dhe, kur ata trajtohen nga këto shërbime, atëherë 

komunikimi me sistemin e shërbimit shëndetësor bëhet në serbisht. 

Spitali i Ulqinit është një institucion i varfër, pa personel të 

mjaftueshëm dhe funksionin vetëm për turistët, të cilët trajtohen për 

sëmundje dhe plagë, por nuk funksionon për vendasit. Delegacion vizitoi 

klinikën në Ana e Malit, një nga klinikat e pakëta të shqiptarëve në 

Malin e Zi. Vetëm dy mjekë iu shërbejnë 10000 banorëve. 

Dhe të dy vijnë nga Ulqini çdo mëngjes dhe rikthehen në shtëpi në orën 

7:00 të çdo mbrëmjeje. Nga Dr. Zulfie Duraku, me mësuam se qeveria 

financon shkollimin e studentëve sllavë të mjekësisë por jo të 

studentëve shqiptarë. (Ajo e kishte financuar shkollimin e vet në moshën 

38 vjeçe.) Dr. Duraku nënvizoi se klinika në Ana e Malit është 

“saktësisht ashtu siç ka qenë atëherë kur ajo kishte lindur, pra si para 

38 vjetësh”. Ajo na tha se klinika nuk merr asnjë fond nga qeveria. 

 

Mestitull/ Sistemi i drejtësisë antikrim dhe forcat e armatosura si 

instrumente të shtypjes politike 

 

Juristi Gezim Kalavrezi ia dha delegacion një pamje të hollësishme të 

sistemit të drejtësisë antikrim në Malin e Zi, ku “parimi i të drejtave 

të njeriut përpara ligjit nuk është praktikuar dhe ajo që është shkruar 

në Kushtetutë nuk është zbatuar,” tha ai. 

Për shembull, ligji që thekson se minoritetet kanë të drejtën të 

përdorin gjuhën e tyre në të folur dhe në të shkruar nuk është zbatuar 

kurrë. Të gjitha procedurat gjyqësore bëhen në serbisht dhe pastaj 

përkthehen. Sipas Kalavrezit, përkthimi është shpesh aq i dobët saqë të 

drejtat e qytetarëve janë shfuqizuar plotësisht. Asnjë nga gjyqtarët në 

Gjykatën Supreme apo në zyrat e prokurorisë nuk janë shqiptarë. Gjatë 

prezantimit me delegacionin tonë, Muhamet Gjokaj na rrëfeu se ai ishte 

një prej 300 shqiptarëve, nga mosha 18 deri 35 vjeçe (shumë prej tyre, 

si Gjokaj, i martuar, me grua dhe fëmijë), të cilët sapo kishin marrë 

fletëthirrjet ushtarake të Serbisë për t”u paraqitur në shërbimin 

ushtarak më 3 shtator. Ky rekrutim, pra regjistrim i shqiptarëve të 

Malit të Zi në ushtrinë e Serbisë, është shpallur si një përpjekje 

“multietnike” e shtetit, tani që shqiptarët dhe sllavët “nuk janë më në 

konflikt.” Dhe kur është këtu fjala, historikisht, shqiptarët kanë qenë 

objekt i racizmit dhe brutalitetit të tejskajshëm në ushtritë e ish 

Jugosllavisë nën komandën serbe dhe malazeze. 

 

Mestitull/Konkluzion 

 

Situata e shqiptarëve të Malit të Zi është e tmerrëshme dhe ogurkeqe. 

Siç na deklaroi Nail Draga gjatë vizitës sonë, “qeveria malazeze i 

“pranon” problemet e saj kur delegacionet ndërkombëtare e vizitojnë 

Podgoricën, por në praktikë ata kurrë nuk bëjnë ndonjë gjë.” Mendësia e 

ngulitur në qeveri është thellësisht raciste dhe ende si në kohën e 

komunizmit. Draga beson se problemi i të drejtave qytetare të 

shqiptarëve në Malin e Zi mund të zgjidhet vetëm përmes ndërhyrjes 

diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. 

Anëtarët e delegacionit të Lidhjes Qytetare janë të përkushtuar të 

punojnë me Kongresmenin Lantosh për të ndërkombëtarizuar gjendjen e 

shqiptarëve në Malin e Zi. Ne nuk do ta mbështetim pavarësinë e Malit të 

Zi derisa popullsia shqiptare të ketë fituar plotësisht të drejtat 

ekonomike, politike dhe kulturore. 

Dhe ne fuqimisht do të kundërshtojmë pranimin e Serbisë dhe të Malit të 

Zi në Bashkimin Evropian dhe NATO gjersa të dyja të kenë vullnetin e 

mirë për të pranuar dhe mbrojtur legjitimitetin e shqiptarëve, duke 

hequr dorë nga një qind vjet të spastrimit etnik e të genocidit dhe të 

përqafojnë demokracinë si sundim të ligjit. 

 

Shirley Cloyes DioGuardi është Këshilltare e Çështjeve Ballkanike e 

LQSHA Përktheu dhe 

 

përgatiti për botim: Elida BUÇPAPAJ

Permalink • Print •