E Ardhmja e Kosovës

Mbi/titulli:
LQSHA: – Komiteti i Kongresit për Marrëdhënie  Ndërkombëtare, (House International
Relations Committee 21 maj 2003) -
 
Titulli:
“E ARDHMJA E KOSOVËS”: POLITIKAT E AKADEMIKUT TË TËRBUAR ULTRANACIONALIST
SERB VASO ÇUBRILLOVIÇ, POLLËN DËSHIRAT SATANIKE TË RANKOVIÇIT DHE MILOSHEVIÇIT

 
Nën/titulli:
Prandaj, shtrohet pyetja përse do të mendonte cilidoqoftë njeri se shqiptarët
e Kosovës, të cilët janë goditur e dërrmuar nga serbët dhe nga malazezët
për breza të tërë me radhë, do të ishin të gatshëm të pajtoheshin që edhe
një herë të bëhen pre e Serbisë, në kohën kur madje edhe sivëllezërit e tyre
sllavë po kërkojnë daljen nga ombrella e tyre?
 
Dëshmia e : Hon. Joseph J. DioGuardi
Anëtar i Kongresit nga viti 1985 – 1989
Member of the House of Representatives, 1985-1989
 
Zotëri Kryetar,
Kongresmeni Lantosh, në emër të të gjithë Shqiptarëve këtu dhe në Ballkan,
si dhe në emër të të gjithë njerëzve që e duan lirinë, iu falënderojmë nga
thellësia e zemrës për paraqitjen e Rezolutës 28 të Kongresit (H.Res. 28
) në mbështetje të shtetësisë së Kosovës dhe për mbajtjen e kësaj seance
dëgjimore të rëndësishme. Si një ish-koleg, i cili ishte i pari që, çështjen
e represionit ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe shkeljen e egër të të
drejtave të njeriut në Kosovë, e solli para auditorit të Kongresit në vitin
1986, si anëtar i tij i ri në atë kohë, jam thellësisht mirënjohës që sërish
po më jepet rasti dhe mundësia të flasë për Kosovën dhe për pavarësinë e
saj.
Dhe dua të përmend edhe një herë se, ju zotëri kryetar dhe kongresmeni Lantosh
ishit ndër të parët persona që bashkësponsorizuat një rezolutë për të drejtat
e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, të cilën unë e paraqita në korrik të vitit
1987 dhe në të cilën na u bashkangjitën mbi pesëdhjetë kolegë tanë kongresmenë
në rolin e bashkësponsorizuesve. Më lejoni, po kështu të them që në fillim
se me Kosovën apo me cilëndo pjesë tjetër shqiptare në hapësirën e Ballkanit
apo edhe me shqiptarët në Amerikë nuk më lidhë asfarë interesi financiar
i çfarëdoqoftë natyre. Jam thjeshtë një vullnetar i papagesë së bashku me
gruan time, Shirley. Ne nuk kemi asfarë investimesh të përbashkëta me asnjë shqiptar, qoftë këtu,
qoftë në Evropë. Nuk kemi ambicie politike në Kosovë, në Shqipëri apo gjetiu
në Ballkan. Dhe asnjëherë nuk kemi bërë çfarëdo kërkese qoftë për ndihmë
qeveritare në mbështetje të aktiviteteve tona qoftë për pagesë të të ardhurave.
Thënë shkurt, në asnjë mënyrë nuk jemi të ngatërruar në fusha të
tilla.  Ne thjesht jemi duke kërkuar paqen me drejtësi për shqiptarët e shumëvuajtur
të Kosovës. Që kur e përfundova mandatin në Kongres në vitin 1989, kam vazhduar
ta praqesë këtë çështje këtu në Washington, në Ballkan dhe kudo në botë,
për liri dhe për vetëvendosje të dy milionë shqiptarëve të Kosovës.
Nuk e harroj kurrë seancën dëgjimore të Kongresit, për të Drejtat e Njeriut
në Kosovë të kryesuar nga ju, i nderuar kongresmen Lantosh dhe nga kongresmeni
John Potter më 24 prill të vitit 1990, që u mbajt në dhomën e madhe të seancave
dëgjimore të Senatit dhe ku poashtu morën pjesë dhe dhanë përkrahjen e tyre
për lirinë e shqiptarëve në Kosovë edhe senatorët Pell, Dole dhe Presler.
Kanë kaluar mbi trembëdhjetë vite nga kjo seancë historike për popullin shqiptar,
në të cilën Liga jonë Qytetare pati sjellë dymbëdhjetë liderë nga Kosova
që të sqaronin rastin kundër Serbisë në lidhje me shumë arsye të qendrueshme,
të cilat atëbotë qenë vënë në pikëpyetje nga shumëkush, por që tani kur hedhim
një vështrim prapa shohim se ato janë zhveshur e kanë dalë të vërteta faktike,
të cilat, në ndërkohë, u përcollën nga katër luftëra të tmerrshme ballkanike
dhe nga ngritja e akuzave, burgosja e më pas gjykimi i liderit serb, Milosheviq.
Gjatë këtrye trembëdhejtë viteve, në Ballkan kanë ndodhur ndryshime të shumta
duke filluar nga invadimi serb në Slloveni në vitin 1990, në Kroaci në vitin
1991, në Bosnje  në vitin1992 dhe pastaj nga përpjekja për spastrimin masiv
etnik të Kosovës në vitin 1999. Në ndërkohë ne kemi zgjedhur tre presidentë,
kemi konvokuar shtatë Kongrese, kemi parë të vriteshin mbi treqind mijë njerëz
të pafajshëm në Bosnjë dhe të paktën, 10.000 të tillë në Kosovë. Ne kemi
qenë dëshmitarë të shpërnguljes së miliona njerëzve nga shtëpitë dhe trojet
e tyre gjithnjë dhe kryesisht për shkak të përkatësisë së trye etnike apo
fetare. Thënë shkurt, kjo periudhë filloi me luftën e Irakut dhe pokështu,
përfundoi përseri me Luftën në Irak, që mori fund vetëm pak ditë më parë.
Sadam Huseini tashmë është mposhtur dhe larguar nga pushteti, mbase ai mund
edhe të ketë vdekur. Milosheviçit po i bëhet gjyq në Tribunalin e Hagës dhe
11 shtatori i vitit 2001 tashmë e ka ndryshuar pikëpamjen tonë globale si
dhe qëndrimin tonë personal rreth shumë gjërave të ndryshme.
Por zotëri kryetar, një gjë megjithatë ka ngelur e pandryshuar, e ajo është
politika këmbëngulëse e Stejt Departamentit tonë për ruajtjen e Jugosllavisë
unike në njërën apo në formën tjetër. Unë ende e ruaj letrën prej tri faqesh
të dërguar nga Stejt Departamenti në vitin 1987 në adresë të kryetarit të
atëhershëm, Dante Fascell. Përmes kësaj letre bëhej përpjekje për ta bindur
atë dhe kryetarin e nënkomitetit, Gus Yarton, që të mos mbahej seancë dëgjimore
mbi rezolutën e vitit 1987 për shumë arsye të ngjashme që keni pasur rastin
t’i dëgjoni nga Stej Departamenti dhe keni mundësi që ato përsëri t’i dëgjoni
nga surrogatët e tyre edhe sot. Megjithatë, nga ajo seancë dëgjimore e mbajtur
në tetorin e vitit 1987 dhe gjatë saj u informuan shumë njerëz, ashtu siç
do të informohen edhe sot, për vuajtjet dhe hallin
dëshpërues të popullit shqiptar dhe për pabarazinë që edhe një herë po kurdiset
ndaj tyre. Dhe në qoftë se ruajta e një pjese të Jugosllavisë nuk është zgjidhje
aq e keqe edhe pas gjithë asaj që ne kemi pasur mundësinë ta shikojmë nga
liderët serbë dhe liderët tjerë komunistë të përkatësisë sllave gjatë këtyre
trembëdhjetë viteve të kaluara, si mund ta vlerësoni prirjen e
Stejt Departamentit për të shkuar pas zërave të “Evropës së Vjetër” për krijimin
e një regjimi të cunguar sllav, përsëri në kurriz të popullit shqiptar.
Dhe posaçërisht, rastet kur diplomatët tanë shtetërorë duket sikur kanë filluar
t’i dëgjojnë miqët tanë diskutabilë në Francë, në Rusi, në Serbi dhe në Greqi,
në vend se të shkonin pas vlerave të verteta të demokracisë amerikane dhe
duket sikur kanë filluar të mbështesin një
inkarnim për një Jugosllavi të re , të quajtur Serbia dhe Mali i Zi. Të krijohet
përshtypja sikur ata në mënyrë të pakuptimtë dhe të pabesueshme po jetojnë
me shpresën se kosovarët do të pajtohen të bëhen pjesë e gjithë kësaj krijese,
ani pse edhe vetë Mali i Zi dhe populli i tij, që mbajnë lidhje vëllazërore
gjaku me serbët, gjithnjë e më shumë po na dërgojnë sinjale nga më të ndryshmet
se nuk e kanë ndërmend t’u bashkangjiten sivëllezërve dhe motave të tyre
sllavë në krijimin e këtij shteti të ri. (Për më tepër, ata kohëve të fundit
zgjodhën një president
proindipendentist, i cili e ka theksuar këtë gjë ashtu si edhe premieri Gjukanoviç).
Prandaj, shtrohet pyetja përse do të mendonte cilidoqoftë njeri se shqiptarët
e Kosovës, të cilët janë goditur e dërrmuar nga serbët dhe nga malazezët
për breza të tërë me radhë, do të ishin të gatshëm të pajtoheshin që edhe
një herë të bëhen pre e Serbisë, në kohën kur madje edhe
sivëllezërit e tyre sllavë po kërkojnë daljen nga ombrella e tyre?
Zotëri kryetar, u deshën trembëdhejtë vite bashkë me një luftë të dytë për
t’u përmirësuar e sjellur në vend një politikë e dështuar në Irak. Gjatë
asaj kohe, u vranë e u zhdukën, u torturuan e u sakatuan e madje edhe u detyruan
me forcë të lëshonin shtëpitë dhe mallin e tyre qindëra mijë njerëz të pafajshëm.
Edhe sa vite të tjera do t’i duhen Stejt Departamentit
ta kuptojë përfundimisht se pavarësia e Kosovës është rruga e vetme për paqen
dhe për stabilitetin  në Ballkan dhe rrjedhimisht bashkë më këtë edhe në
Evropë, e cila është me rëndësi  jetike për interesin tanë kombëtar?
T’ia hedhim një vështrim të shkurtër, për një çast, të kaluarës së vërtetë
në marrëdhëniet shqiptaro-serbe. Mund të provoj të kthehem pesëqind vite
mbrapa dhe të demonstroj me fakte tradhëtinë serbe e cila, atëbotë i la fqinjët
e tyre të krishtërë shqiptarët (atëherë të gjithë të krishtërë) të bartnin
mbi supet e tyre gjithë barrën e rëndë të okupimit turko-otoman të
asaj kohe për katërqind vjetë rresht. Mirëpo unë nuk dua ta bëj këtë gjë,
nuk dua t’u marrë kohë për eksplorimin e kësaj historie deri diku të vjetër.
Në vend të kësaj, le t’ia fillojmë nga data 7 mars e vitit 1937, kur akademiku
i tërbuar ultranacionalist serb dhe lider politik në të njëjtën kohë, Dr.
Vaso Çubriloviç, veprat dhe filozofia e ligë e të cilit pollën dëshirat satanike
të Aleksandër Rankoviçit dhe të Sllobodan Milosheviçit, në Beograd prezantoi
planin e tij me shkrim  për pastrimin e Jugosllavisë nëpërgjithësi e të Kosovës
në veçanti nga të gjithë shqiptarët. Shkrimi i tij mbante titullin “Dëbimi
i shqiptarëve”. Ja ku e kam këtu pranë dhe kërkoj miratimin tuaj që gjatë
kësaj paraqitjeje t’i përmend vetëm emrat e dy pjesëve të tij: “Metoda e
dëbimit” dhe “Organizimi i dëbimit”, për të demonstruar dhe kuptuar se prej
nga i kishin marrë inspirimin dhe idetë e tyre të çmendura për spastrimin
etnik të Jugosllavisë dhe për krijimin e Serbisë së Madhe Milosheviçi me
bashkëkombasit e tij komunistë, shumica prej të cilëve edhe sot e kësaj dite
vazhdojnë të jetojnë të qetë në Serbi dhe në Mal të Zi. Pa pasur nevojë ta
lexoj tërë tekstin, keni mirësinë ju lutem e më lejoni të përmend në radhë
vetëm disa pjesë nga taktika terroriste, çnjerzore dhe e pa kurrfarë feje,
e  propozuar nga Çubriloviçi në podiumin e Beogradit në vitin 1937: “Nëse
duam ta dëbojmë popullsinë Shqiptare, atëherë ne duhet gjithsesi të krijojmë
një psikozë të përshtatshme frike dhe pasigurie në mesin e popullit shqiptar.
Ne duhet të përdorim paranë apo edhe kërcënimet për ta përfituar klerin dhe
përfaqësuesit e njerëzit me nam në radhët e tyre. Pokështu, ne duhet të angazhojmë
agjituesit dhe propaganduesit, posaçërisht nga Turqia, për t’i mashtruar
shqiptarët rreth përfitimeve dhe dobisë dhe fatit që i pret ata nëse shpërngulen
për në Turqi. Dhe në qoftë se edhe gjithë kjo nuk jep rezultate të duhura,
atëherë duhet ta vëjmë në veprim gjithë aparatin tonë shtetëror për t’i shtërnguar
shqiptarët në atë masë sa që qëndrimi i tyre i mëtejmë të bëhet i padurueshëm.
Këtu duhet venë në veprim të gjitha taktikat e pamëshirshme policore që i
kemi në dispozicion. Dhe në qoftë se edhe gjithë kjo nuk mjafton, ne duhet
t’u shpërndajmë armë kolonistëve tanë nga fiset e ndryshem malazeze dhe çetnikëve,
e jo ushtrisë sonë të rregullt,
që ata të shkaktojnë dhe inicojnë trazira të nivelit lokal, në mënyrë që
më pas t’i shtypim në mënyrë të përgjakshme dhe të pamëshirshme, me gjithë
forcën dhe bruitalitetin që posedojmë. Dhe në fund fare, nëse edhe e gjithë
kjo nuk jep efektin dhe rezultatin e dëshiruar për përzënien e të gjithë
shqiptarëve jashtë Jugosllavisë, atëherë ngelet edhe një mjet tjetër, të

cilin Serbia dhe Mali i Zi e kanë përdorur me efektivitet të lartë praktik
pas vitit 1878, e ky mjet është, djegia e fshehtë dhe tinzare e katundeve
shqiptare dhe lagjeve të ndryshme të qyteteteve”. (Një diçka që në Kosovë
e patëm rastin ta shihnim përseri në
vitin 1999).
Zotëri kryetar, nuk është e lehtë të besohet se ky plan edhe sot e kësaj
dite ekziston në formën e parë të të shkruarit. Ne e patëm përkthyer këtë
projekt nga një skriptë origjinale e shkruar në alfabetin çirilik serb, këtu
ne pesëmbëdhjetë vjetë më parë dhe më pas të njëjtin e patëm shpërndarë në
të katër anët, posaçërisht në mesin e liderëve të komunitetit hebre, i cili
ka
vuajtur sa s’mund të përshkruhet në duartë e një diktatori tjetër. 
 
Mes/titulli:
Kosova mund të ketë me Serbinë vetëm marrëdhënie partneriteti, si shtet i
pavarur.
 
Ne u përpoqëm të ndikonim për të kuptuar drejt një gjendje reale edhe pas
arritjes së marrëveshjes së dështuar të Dejtonit në vitin 1995, në mënyrë
që SHBA-të dhe NATO-ja ta kuptonin se Milosheviqi e kishte ndarë mendjen
që përfundimisht të zbatonte planin e mentorit të tij, Vaso Çubriloviq. Si
për çudi dhe në mënyrë të pabesueshme, plani i Çubriloviqit i kishte paraprirë
dy vite të plota planit të shkruar nga Hitleri për “Zgjidhjen Finale” së
çështjes së popullit hebre në Evropë. Mirëpo plani i Çubriloviqit mbijetoi

edhe pesëdhjetë vite të tjera me radhë dhe kur Milosheviqi erdhi në pushtet
në vitin 1987 ai, pa  një pa dy, i vuri vetës detyrë që këtë plan ta implementonte
në Kosovë. Regjimi i tij ultranacionalist e komunist, filloi një operacion
masiv policor kundër popullsisë civile shqiptare në vitin 1987 dhe 1988,
kreu një okupim ushtarak dhe zbatoi represion prej  shteti
policor mbi Kosovën nga vitet 1989 deri në vitin 1998 (duke krijuar edhe
një geto të re Varshave në zemër të Evropës), dhe një spastrim etnik dhe
gjenocid në vitin 1999, veprime këto për shkak të të cilave, tani, atij dhe
regjimit të tij po i bëhet gjyq në Hagë.
Për shkak të punës së palodhshme dhe efektive të lobit tonë popullor, Liga
Qytetare Shqiptaro-Amerikane me ndihmën e madhe të komunitetit hebre në Shtetet
e Bashkuara të Amerikës, Stejt Departamenti ynë më në fund, pas dhjetë vjetë
përkëdheljesh që po i bëheshin Milosheveqit, e lejoi NATO-n ta bënte atë
që duhej, e ajo ishte bombardimi i Serbisë deri në përulje ashtu siç bëmë
edhe me Sadamin dhe më heret edhe me Adolf Hitlerin.
 
Mestitull/
Asnjë marrëveshje të re me Serbinë dhe me regjimet e tjera sllave jodemokratike
 
Por zotëri kryetar, të mos harrojmë se deri në procesin e Rambujesë në Francë,
që nisi në fillim të vitit 1999, pavarësisht përpjekjeve tona dëshpëruese
për të shmangur edhe një luftë tjetër në Ballkan, kësaj here në Kosovë, i
dërguari ynë amerikan për Ballkanin, Riçard Holbruk dhe Stejt Departamenti
po bënin të pamundurën ta shndërronin Milosheviçin në partner tonin për paqen,
megjithëse ai edhe ashtu kishte ndezur tre luftëra, kishte vrarë 300.000
boshnjakë të pafajshëm dhe po kërcënohej se do të implementonte ëndrrën mesjetare
serbe për Serbinë e Madhe, sipas të cilës të gjithë serbët që jetojnë në
Ballkan duhej të bashkoheshin në një shtet të vetëm. Ma ha mendja se të paktën,
e gjithë kjo flet për gjykim tonin të pamatur në atë kohë dhe rrjedhimisht
na lejon të vëmë në dyshim çfarëdo marrëveshje të re me Serbinë dhe me regjimet
tjera sllave jodemokratike. Sipas nesh, po t’u jepet rasti që edhe një herë
të dominojnë mbi popullin shqiptar, përsëri do të vijë deri te ndonjë luftë
e re, të cilën më pas, bazuar në përvojën më të re me Evropën, do të mund
ta ndalonin vetëm trupat dhe paratë amerikane.
Një shembull i freskët tragjik, që flet për brutalitetin policor dhe paramilitar
të Serbisë, e që ka ngjarë pas qershorit 1999, është rasti i tre të rinjve
shqiptaro-amerikanë, vëllezërve Bytyqi, babai i të cilëve Ahmet Bytyçi sot
është pranë nesh, duke kërkuar ende zbatimin e drejtësisë. Këta të rinj u
ekzekutuan nga forcat serbe dhe më pas u hodhën në një varrezë masive vetëm
për arsye se, në përpjekje për t’u ndihmuar disa fqinjve të tyre me përkatësi
rome, gabimisht kishin kaluar kufirin serb. Ata u ekzekutuan nga operativë
të policisë speciale serbe vetëm pse ishin shqiptarë dhe amerikanë. Ky shëmbull
flet qartë për racizmin e  rrënjosur thellë në shpirtin e tyre kundër popullit
shqiptar dhe për armiqësinë e tyre ndaj Amerikës për shkak të rolit të saj
udhëheqës në Luftën e NATO-s atje. (Kongresmeni Lantosh, më lejoni që edhe
një herë t’u falënderohem për ndihmën e dhënë në zbardhjen dhe vënien para
drejtësisë të vrasësve të Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyçit).
 
Mestitull/
Përballë diktatorëve brutalë të Serbisë
 
Zotëri kryetar, ju mund të thoni se si kishte mundësi që Stejt Departamenti
ynë të mashtrohej e joshej aq lehtë nga dikatorë aq brutal të Serbisë, si
Rankoviçi dhe Milosheviçi dhe madje tani edhe nga Vojislav Koshtunica dhe
Nebojsha Çoviçi, të veshur e të llustruar nën petkun e stilit evropian?
Dhe unë po ua sqaroj se kjo është bërë për këto arsye: E para, këta “padronë
të gënjeshtrës” dhe paraardhësit e tyre shfrytëzuan shtypin dhe median e
kontrolluar në Beograd pesëdhejtë vjetë me radhë për të rishkruar historinë
dhe imazhin e popullit shqiptar, i cili ishte vënë nën
shtypjen më të egër të totalitarizmit komunist pas luftës së Dytë Botërore,
jo vetëm në Jugosllavi por edhe në Shqipëri.
E dyta, këta “padronë të gënjeshtrës” përdorën dhurata të ndryshme monetare
për shumë diplomatë dhe politikanë perëndimorë, si fjala vjen Henri Kisingeri
dhe Lorenc Igelberger, të cilët punonin me ta si bankierë, apo shërbenin
në bordet e korporatave të tyre shtetërore si drejtorë që paguheshin nga
jashtë dhe merrnin pagesa të majme në emër të konsultimeve të
ndryshme “ende të pazbuluara”, siç patëm rastin të shihnim kohëve të fundit
nga ngurrimi i zotëri Kisingerit për t’u vënë në krye të një komisioni presidencial,
sapo e kuptoi se me këtë rast do të detyrohej që fillimisht të shpaloste
edhe financat e tij, të cilat, sipas  asaj që besojnë shumë njerëz, do të
hedhnin dritë mbi shumë konflikte interesash të të kaluarës ku bëjnë pjesë
edhe kontrata të ndryshme qeveritare të udhëhequra nga padronët e tij.
Zotëri Igelberger, ish-ambasador i SHBA-ve në Beograd dhe partner i Henri
Kisingerit, ka lojtur rol shumë të madh në “Global Motors”, në kompaninë
që prodhoi veturën “Yugo”, ka shërbyër në të paktën një bord bankar me Milosheviqin
dhe megjithatë arriti që në vitin 1992 të bëhej Sekretar i Shtetit pasi që
më parë, përmes dredhinave, arritit t’u shpëtonte pyetjeve shumë të qarta
dhe të drejtpërdrejta të senatorit Jesse Helms rreth marrëveshjeve të tij
financiare me Jugosllavinë dhe me Milosheviqin.
Nuk u bë e madhe se në Stejt Departamentin tonë, në fillim të viteve të nëntëdhjeta
ekzistonte një politikë që anonte kah Serbia, kur sekretari i atëhershëm
i shtetit, James Baker deklaronte se ne duhej ta ruanim Jugosllavinë unike
pavarësisht kostos, duke i dhënë kështu Milosheviqit
sinjalin e gjelbër për të vazhduar luftërat e tij dhe për ta përfunduar okupimin
brutal të Kosovës. Kjo prirje dhe ky anim proserb nxori kokë sërish kur Riçard
Holbruk u përkul edhe një herë para Milosheviqit në vitin 1995 dhe nuk lejoi
asnjë lider shqiptar të merrte pjesë në tryezën e Dejtonit, pa çka se shqiptarët
përbënin grupin e tretë etnik për nga madhësia në këtë
territor, pas serbëve dhe kroatëve.
Kjo i dha Milosheviqit edhe një sinjal të freskët për ta vazhduar brutalitetin
e tij. Ndërsa goditjen e fundit fyerse e dha i dërguari i posaçëm amerikan
për Ballkanin, ambasadori Riçard
Gelbard, kur deklaroi sheshit se ushtria qytetare shqiptare, e njohur si
UÇK ishte “grup terrorist”. Kjo ngjante në kohën kur kjo ushtri s’po bënte
gjë tjetër veçse po përpiqej të mbronte familjet dhe pronën e pasurinë e
tyre nga paramilitarët plaçkitës, shumica prej të cilëve s’ishin veçse kriminelë
të liruar nga burgjet, të veshur më pas në uniforma sipas rastit dhe detyrave
që u viheshin në përgjegjësi. Dhe kjo bëhej në kohën kur UÇK-ja nuk
figuronte si grup terrorist në asnjë vend dhe në asnjë nivel të botës. Kjo
i dha Milosheviqit pikërisht armën që kërkonte dhe për të cilën kishte nevojë
në mënyrë që të marshonte në Drenicë në fillim të vitit 1998, për të ekzekutuar
shumë burra, gra dhe fëmijë në emër të terroristëve apo në emër të asaj se
ata “kishin strehuar apo mbështetur terroristët”.
Prandaj, zotëri kryetar, duke pasur parasysh këtë histori të shkurtër të
manifestimit brutal të racizmit armiqësor nga sllavët kundër popullit shqiptar
dhe këtë historik të vlerësimeve dhe gjykimeve tepër të paqëlluara të Stejt
Departamentit tonë në favor të serbëve derisa, për pak, nuk u bë tepër vonë,
si ka mundësi që kushdoqoftë të presë nga populli shqiptar i Kosovës prej
më se dy milionë banorësh, që përbën nëntëdhjetë e pesë për qind të popullsisë
së gjithmbarshme të Kosovës, të merret me Serbinë në çfarëdo rasti apo rrethane,
përveçse në formë partneriteti si shtet i pavarur, që në rast të tillë do
t’i hynte bashkëpunimit në interesin
reciprok që do të shpinte në integrimin evropian?
Box
ME NDIHMËN E MADHE TË KOMUNITET HEBRE NË SHBA
 
Për shkak të punës së palodhshme dhe efektive të lobit tonë popullor, Liga
Qytetare Shqiptaro-Amerikane me ndihmën e madhe të komunitetit hebre në Shtetet
e Bashkuara të Amerikës, Stejt Departamenti ynë më në fund, pas dhjetë vjetë
përkëdheljesh që po i bëheshin Milosheveqit, e lejoi NATO-n ta bënte atë
që duhej, e ajo ishte bombardimi i Serbisë deri në përulje ashtu siç bëmë
edhe me Sadamin dhe më heret edhe me Adolf Hitlerin.
 
Mes/titull: 
Claiborne Pell: Shqiptarët kanë një traditë krenare të rezistencës ndaj sundimit
dhe shtypjes së huaj
 
Zotëri kryetar, tani që paraqita një fotografi rrëqethëse të sjelljes kolektive
antishqiptare nga ana e regjimeve komuniste serbe, pas Luftës së Dytë Botërore,
të kthehemi e të  hedhim një vështrim të shkurtër mbi popullin shqiptar për
një çast. Kush janë shqiptarët dhe çfarë po kërkojnë ata sot?
Besoj se kolegu ynë i ndjerë, kryetar i Komitetit të Senatit për Marëdhëniet
Ndërkombëtare  në atë kohë, Claiborne Pell, që kishte pasur fatin që detyrën
e parë si oficer i ri i zyrës së jashtme amerikane ta merrte në Shqipëri
në vitin 1939, gjatë një seance dëgjimore në vitin 1990 e përshkroi popullin
shqiptar në mënyrën më të saktë, kur tha se: “Shqiptarët kanë një traditë
krenare të rezistencës ndaj sundimit dhe shtypjes së huaj. Paraardhësit e
tyre, ilirët nuk u inkorporuan kurrë plotësisht në Perandorinë Romake dhe
pokështu edhe sulltanët turq nuk ia dolën dot që me sukses të nënshtronin
gegët dhe toskët shqiptarë. Në të dy këto raste, sundimtarët e tokave të
sotme shqiptare preferuan që në vend të sundimit total t’u linin atyre
hapësirë të mjaftueshme në mënyrë që ata të organizonin, sipas dëshirave
të tyre, një vetësundim mbi  këto toka. Romakët dhe turqit morën leksion
të mirë kur arritën të mësonin se shqitarët nuk duhej ngacmuar, sepse nuk
ia vlente. Por, me gjithë këtë përvojë nga e kaluara, duket se në kohën që
po jetojmë, liderët e një shtetit tjetër multietnik e kanë injoruar fare
këtë leksion. Liderët e Jugosllavisë, e në veçanti ata të Serbisë, nuk e
kanë ndalur kurrë 
fushatën e egër kundër shqiptarëve në Kosovë. Janë bërë arrestime masive,
janë kryër vrasje dhe rrahje të shumta dhe është revokuar statusi autonom
i krahinës së tyre.
Privimi i Kosovës nga gjithë ajo që po zbatohet dhe aplikohet në tërë Evropën
Lindore nuk mund dhe nuk është as në interesin e Jugosllavisë apo të Serbisë
e as në interesin e SHBA-ve. Shqiptarët janë popull i pavarur dhe krenar
në mënyrë shumë të zjarrtë dhe ata do t’i kundërvihen këtij represioni me
tërë qenjen e tyre. Mirëpo ata kanë nevojë për ndihmë dhe inkuarajim nga
vendet tjera të lira, e në veçanti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po

ua them botërisht se unë do të bëj gjithë çfarë mundem për të mbështetur
kauzën e drejtë të shqiptarëve të Kosovës.” (Claiborne Pell e bëri këtë deklaratë
trembëdhejtë vite më parë por vlera e saj është shumë aktuale edhe sot).
 
Mes/titull
Shqiptarët kanë treguar një tolerancë të paparë, sidomos për hebrejtë gjatë
epokës naziste
 
Dhe, zotëri kryetar, zor se mund të gjendet rast tjetër në botë që mund të
ngjajë me rastin  dhe fakt historik të shqiptarëve, të cilët kultivojnë tri
religjione, katolicizmin, islamin dhe orthodoksizmin e krishterë. Ata kanë
treguar një tolerancë dhe mirëkuptim të paparë për të tjerët, e posaçërisht
për çifutët e shtypur gjatë epokës naziste, shumë prej të cilëve ia msynë

Shqipërisë dhe Kosovës sepse e dinin se ishte tradita shqiptare ajo që do
t’i mbronte nga ndjekësit e tyre nazsitë.Tregimet madhështore për heroizmin
shqiptar edhe pse të ballafaquar me vdekjen,  përshkruhen në librin e mrekullueshëm
“Shpëtim në Shqipëri”. Duket
e pabesueshme por është e vërtetë se secili çifut me banim në tokat shqiptare
dhe pothuajse secili çifut fatlum që kishte arritur të ikte e të futej në
këto toka ngeli i paprekur. Këto toka shqiptare, brenda dhe rreth Shqipërisë
dhe Kosovës, ishin të vetmet toka të tilla në tërë Evropën. Këto ishin tokat
e vetme në Evropë, në të cilat, pas Luftës së Dytë Botërore,
kishte më shumë çifutë sesa që kishte pasur para shpërthimi të kësaj lufte.
Do të kisha dashur që në arkivin e Kongresit të futej edhe parathënia e librit
“Shpëtimi në Shqipëri” nga Tom Lantosh dhe nga ish-kongresmeni Ben Gilman,
dy amerikano-hebrej të dëgjuar, dhe do të dëshiroja që një kopje të këtij
libri të mrekullueshëm ta jap ty, i nderuari
zotëri kryetar.
 
Mes/titull :
Shqiptarët janë miqtë më të mirë të SHBA në Ballkan & u janë mirënjohës për
jetë Amerikanëve
 
Dhe së fundi edhe një çështje tjetër përfundimtare për shqiptarët. Ata janë
miqtë më të mirë të Amerikës në Ballkan. Kur ndodhi tragjedia e 11 shtatorit,
shqiptarët ndezën qirinjtë e tyre, mbajtën tubime të heshtura, shpërndanë
posterë në mbështetjen tonë dhe nëpër ekranet televizive dhe emisionet e
radiove u prononcuan me tërë fuqinë dhe zërin që kishin në
përkrahje të Amerikës dhe të tremijë viktimave të saj të terrorit, ndërkohë
që sllavët e Beogradit dhe të Shkupit dhe vëllezërit e tyre orthodoksë në
Greqi dhe në Rusi dolën nëpër rrugë dhe hodhën valle nga gëzimi dhe hareja
për humbjen tragjike që na ishte shkaktuar ne në sytë e gjithë botës. Gjatë
fushatës së NATO-s mbi Jugosllavi, ushtarët shqiptarë të UÇK-së që po zhvillonin
betejat e tyre në tokat e Kosovës u erdhën në ndihmë pilotëve tanë për t’i
gjetur dhe goditur caqet e parapara, në mënyrë që të mos pësonte asnjë pilot
apo ushtar yni. (Shumica prej tyre ishin shqiptaro-amerikanë që i ishin bashkangjitur
brigadës së Atlantikut me qëllim që të shkonin e t’u vinin në ndihmë familjeve
dhe fqinjëve të tyre).
Dhe shqiptaro-amerikanët pokështu me krenari dhe gatishmëri të lartë i shërbyen
vendit tanë edhe gjatë luftës së fundit në Irak. Gjatë një interviste të
dhënë kohëve të fundit, një shqiptaro-amerikane tha se kishte zgjedhur vullnetarisht
të luftonte në Irak për shkak të asaj që Amerika kishte bërë për shqiptarët
e Kosovës. Shqipëria shkoj edhe më tutje dhe
dërgoi një kontigjent prej njëqind trupash speciale për mbrojtjen aktive
të forcave tona të armatosura në Irak.
Zotëri kryetar, është koha që Stejt Departamenti ynë ta kuptojë se cilët
janë miqtë tanë dhe t’u bashkohet atyre në ndërtimin e një shteti të pavarur
që tani, në mënyrë që Kosova të mund të tërheq investime, burime të ndryshme
nga kreditë dhe huatë dhe kështu të hapë  përspektivë dhe vende të raja pune
për popullin e saj.
Në Kosovë ka shumë të rinj (Kosova ka popullsinë më të re në Evropë) dhe
mbi gjashtëdhjetë për qind prej tyre janë të papunësuar. Kosovës i duhet
pavarësia e saj në mënyrë që të mund të krijojë vende të reja pune dhe të
krijojë kapitalin e saj, mu ashtu sikurse që shqiptarët kanë bërë në mënyrë
aq bindëse në Amerikë dhe në Evropën Perëndimore gjatë dy dekadave të
fundit.
 
Mes/titull:
Liria e plotë për shqiptarët e Kosovës nënkupton pavarësi nga Serbia.
 
Prandaj zotëri kryetar, nëse duam të dijmë se çfarë dëshiron populli shqiptar
i Kosovës, këtë mund ta bëjmë fare lehtë dhe pa asnjë vështirësi. Ajo që
kërkon ky popull është liria e plotë nga ata të cilët kanë kërkuar dhe janë
përpjekur për ta zhdukur atë, nga ata të cilët janë përpjekur për ta dëbuar
dhe të cilët deri më sot, megiithëse kanë kaluar mbi katër vjet nga
lufta e tyre brutale nga e cila, në Kosovë, u vranë mbi 10.000 shqiptarë
të pafajshëm dhe u sakatuan, u dhunuan e u torturuan edhe dhjetra mijëra
të tjerë, nuk e kanë parë të arsyeshme të kërkojnë falje për gjithë ato krime
të tmerrshme që po dalin në dritë, veç tjerash, edhe gjatë procesit gjyqësor
që po i bëhet Milosheviqit në Hagë.
Liria e plotë për shqiptarët e Kosovës nënkupton pavarësi nga Serbia. Shqiptarët
e kanë fituar dhe merituar këtë përmes gjakut të tyre, përmes miqësisë dhe
besnikërisë së tyre ndaj nesh dhe përmes dashurisë dhe respektit të tyre
ndaj vlerave demokratike të Perëndimit.
Nga përfundimi i fushatës ajrore të NATO-s në qershor të vitit 1999, shqiptarët
e Kosovës kaluan me sukses tri zgjedhje demokratike dhe paqësore, kanë themeluar
një qeveri të koalicionit nën autoritetin e OKB-së dhe në përgjithësi  kanë
treguar dhe dëshmuar shkathtësinë dhe zotësinë e tyre për të punuar dhe jetuar
së bashku me të tjerët. Mungesa e statusit final, po ndikon veç tjerash edhe
në pengimin dhe stërkeqjen e zvetnimin e gjërave të
vogla por të rëndësishme dhe të domosdoshme për krijimin e shoqërisë civile.
Siç e dini zotëri kryetar, një Kapitulli i ROTARY-it në Gjakovë nuk është
autorizuar ende, biles kjo nuk është bërë edhe pasi që ju shkruat një ankesë
rreth kësaj çështjeje, sepse guverneri qarkor i “Rotary” në Athinë mendon
se Beogradi ende duhet të ketë fjalën e tij në këtë çështje, prandaj ata
u angazhuan kundër një kaptine të Rotarit në Kosovë me qëllim që të mos prekej
e lëndohej Beogradi.
Mund ta merrni me mend edhe vetë se çfarë ofendimi dhe përpuzje e padrejtë
është kjo për popullin shqiptar të Gjakovës, i cili pavarësisht kësaj nuk
është thyer por ende po vazhdon të veprojë si “Rotary Club”, dhe po vazhdon
t’u dalë krah e t’u ndihmojë fqinjëve të tyre hallexhinj, ani se pa asfarë
dokumenti apo njohje zyrtare.
Si përfundim, zotëri kryetar, shqiptarët kanë nevojë edhe për investime,
edhe për hua, edhe për liri për t’u angazhuar në aktivitete të ndryshme civile,
të cilat mund të vijnë vetëm nga një status final që përfundon me një shtet
të pavarur. Pas kësaj mund të bëhet fjalë për krijimin e vendeve të reja
të punës dhe kjo do të bëhej vetëm duke iu falënderuar investimeve dhe huave

ndërkombëtare përmes të cilave do të ngjallej puna dhe angazhimi i pabesueshëm
i popullit shqiptar. Zgjidhja është kjo:  Kosova ose duhet të krijojet dhe
kthehet në një partner produktiv evropian, një partner produktiv përmes investimeve
dhe prosperitetit ekonomik, ose Kosova duhet që t?i jepet Serbisë jodemokratike
edhe një herë që të veprojë në stilin e saj.
Nëse përcaktohemi për këtë të fundit, jam më se i sigurt se Ballkani do të
shkojë sërish në një konflikt të ri, i cili, siç dihet qartë, nuk është aspak
në interesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ju faleminderit zotëri
kryetar.
 
Përktheu: Musli Bazhdaraj
Përgatitipër botim: Elida Buçpapaj

Comments are closed.